Besnik Bislimi ka reaguar kundër përpjekjeve të Serbisë për të bllokuar mbështetjen e Qeverisë së Kosovës për shqiptarët e Luginës së Preshevës, si dhe për të penguar regjistrimin e kryetarit të ri të Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSh).
Në një postim të tij, Bislimi theksoi se këto veprime të Serbisë janë ndërhyrje politike dhe shkelje të të drejtave të shqiptarëve. Ai nënvizoi se ato janë pjesë e një strategjie afatgjate të Serbisë për të diskriminuar shqiptarët në Luginën e Preshevës, duke bllokuar zhvillimin e tyre ekonomik dhe minuar institucionet e tyre legjitime.
Bislimi theksoi se ndihma e Kosovës për shqiptarët e Luginës është legjitime, pasi fondet janë transparente dhe përbëjnë mbështetje të drejtë dhe të nevojshme. Sipas tij, bllokimi i funksionimit të KKSh-së nga ana e Serbisë është një veprim pa asnjë bazë ligjore, i cili synon ta mbajë Këshillin jofunksional dhe të pafuqishëm për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve.
Ai gjithashtu theksoi se ky është një përpjekje për të kontrolluar institucionet shqiptare dhe për të shuar çdo zë të pavarur që kundërshton politikat diskriminuese të Serbisë, me qëllimin që shqiptarët të mos kenë zë dhe përfaqësim.
Besnik Bislimi përfundoi duke deklaruar se Qeveria e Kosovës nuk do të ndalojë së përkrahuri shqiptarët e Luginës, pavarësisht pengesave nga Serbia, dhe se do të vazhdojë të rrisë mbështetjen vit pas viti. Ai gjithashtu u bëri thirrje institucioneve ndërkombëtare të mbajnë një qëndrim vigjilent ndaj këtyre zhvillimeve dhe përpjekjeve të Serbisë për të shkelur të drejtat e shqiptarëve./UBTNews/