Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës Besnik Bislimi ka komentuar procesin e dialogut, pasi Serbia vazhdimisht po tregohet dekonstruktive ndaj marrëveshjeve të arritura deri më tash.
Ai në konferencën për media tha se Serbia pas takimit të djeshëm në Bruksel dëshmoi edhe formalisht se po e braktis marrëveshjen e Ohrit dhe se me këtë po konfirmohet se është Beogradi zyrtar ai që po e bllokon procesin.
“Me rëndësi është që më qartë se asnjëherë më parë, Serbia i ekspozoi qëndrimet e veta edhe karshi Marrëveshjes Bazike, por edhe karshi Komisionit të Përbashkët për personat e pagjetur, gjithnjë në ombrellën e konstruktivitetit të tyre dhe “ndershmërisë”, do të thotë konstruktiviteti dhe ndershmëria e Serbisë përkthehet në moslejim të themelimit të Komisionit të Përbashkët dhe në vendosje të parakushteve dhe të linjave të kuqe për zbatimin e Marrëveshjes Bazike. Mendoj që është shumë me rëndësi që ky mesazh, në mënyrë korrekte të transmetohet dhe te vendet anëtare në mënyrë që ato ta kuptojnë se kush ka qenë në fakt bllokues i progresit në dialog që nga momenti i 18 marsit 2023”, ka thënë Bislimi.
Kujtojmë, raundi i ri i dialogut Kosovë-Serbisë në Bruksel përfundoi pa përparim të dukshëm./S.K/KP/