Si mjeshtre e diplomacisë, Mbretëresha Elizabeth duket gjithmonë indiferente ndaj fatkeqësive, problemeve apo çështjeve që mundojnë familjen e saj.
Në vitet kur divorci i tre prej katër fëmijëve të saj u bë publik, mbretëresha nuk tha asnjë fjalë për këtë, duke qëndruar stoike përballë presioneve të gazetarëve dhe kamerave, transamton a2news.com.
Por privatisht, Elizabeth II “u trondit” kur Princi Charles, Princi Andrew dhe Princesha Anne u divorcuan respektivisht nga Lady Diana, Sarah Ferguson dhe Mark Phillips.
Zbulimet vijnë nga biografia e autorit mbretëror Robert Hardman me titull “Queen of Our Times: The Life of Queen Elizabeth II”.
Hardman hedh në letër emocionet private të mbretëreshës pasi tre fëmijët e saj braktisën martesën e tyre dhe e bënë publik divorcin.
Në një fragment nga libri, Hardman shkruan: “Në pamje të jashtme stoike, si gjithmonë, Mbretëresha i pa bisedimet e divorcit të fëmijëve të saj thellësisht shqetësuese. Herë pas here vihej re dëshpërimi i saj në sy”.
Autori dhe ish-anëtari i stafit mbretëror kujtoi në libër gjithashtu një bisedë që kishte pasur në lidhje me mbretëreshën:
“I thashë, Zonjë, duket se po ndodh kudo. Kjo është pothuajse praktikë e zakonshme tani. Por ajo thjesht tha: “Tre nga katër!” në trishtim dhe zemërim. Nuk duhet nënvlerësuar dhimbja që ka kaluar”, shkruan ai.
Pavarësisht asaj që po kalonte privatisht, mbretëresha Elizabeth nuk e humbi kurrë durimin gjatë “annus horribilis”, viti i tmerrshëm 1992.
Vetëm atë vit, Madhëria e Saj ishte dëshmitare e një zjarri që shkatërroi një pjesë të Kështjellës Windsor, divorcin e tre fëmijëve të saj dhe skandalet e vazhdueshme rreth Princeshës Diana dhe Princit Charles.
“Vështirësitë ishin të vazhdueshme, problemi herë pas here i sikletshëm, por ajo vazhdoi pa u ndalur. Është jashtëzakonisht qetësuese në ato situata të punosh për dikë që arrin t’i përballojë kaq mirë emocionet”, tha ish-oficeri i saj i shtypit, Charles Anson, duke shtuar se Elizabeth II, nuk ka qenë kurrë e papritur, kurrë e irrituar apo nervoze, gjithmonë e qëndrueshme.