Sipas një renditjeje të përpiluar nga Billboard, Bebe Rexha është zyrtarisht në mesin e 100 këngëtareve femra më të rëndësishme të shekullit 21.
Këngëtarja shqiptare e hiteve “I’m Good (Blue)”, “I’m A Mess” dhe “Meant to Be” është pozicionuar në vendin e 90-të në këtë listë prestigjioze, e cila përfshin emrat më të mëdhenj të muzikës në dy dekadat e fundit.
Billboard ka zbuluar pozitat nga 100 deri në 90, e pritet që në mesin e 100 emrave më të suksesshëm të përfshihen edhe dy yjet tjera, Dua Lipa dhe Rita Ora. Ky vlerësim për Rexhën vjen në një moment kyç të karrierës së saj.
Pas një dekade bashkëpunimi me Warner Records, ajo vendosi të ndërpresë kontratën me këtë label e të ndjekë rrugën si artiste e pavarur.
Gjatë viteve, Bebe Rexha ka arritur të krijojë identitet unik në industrinë e muzikës pop, duke u njohur si një nga tekstshkrueset dhe vokalet më të fuqishme të kohës moderne. Ajo ka bashkëpunuar me artistë të mëdhenj si David Guetta, G-Eazy dhe Florida Georgia Line, duke sjellë disa nga hitet më të dëgjuara të viteve të fundit. /UBT News/