Një grua e ka paditur komedianin Bill Cosby për dhunë seksuale, kjo pasi ky i fundit ishte paditur nga pesë gra të tjera në fillim të dhjetorit. Padia, e paraqitur në Gjykatën e Lartë të Nju Jorkut, pretendon se paditësja Stacey Pinkerton është ngacmuar seksualisht nga Cosby në vitin 1985 kur ajo ishte 21 vjeç, raportoi CNN.
Sipas padisë, Cosby akuzohet se ka përdorur fuqinë dhe ndikimin e tij për të “sulmuar seksualisht” Pinkerton, që në atë kohë ndiqte një karrierë në modeling dhe punonte si stjuardesë. Në padi pretendohet se Cosby e drogoi dhe e sulmoi seksualisht atë kur ata hanin darkë, nën pretendimin se do të ndërtonte karrierën e saj në industrinë e medias.
Në një incident tjetër muaj më vonë, Cosby e ftoi Pinkerton në një shfaqje në Teatrin e Çikagos dhe e detyroi atë ta puthte dhe ta prekte pa pëlqim, sipas padisë.
Në vitin 2018, ylli i “The Cosby Show” u dënua me 3 deri në 10 vjet burgim për akuzat që përfshinin drogimin dhe sulmin seksual ndaj një gruaje tjetër, por u lirua në vitin 2021, pasi Gjykata e Lartë e Pensilvanisë hodhi poshtë dënimin e tij për sulm seksual.
Kujtojmë se në dhjetor 2022, pesë gra ngritën një padi kundër Cosby-t./UBTNews/