Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI) ka shpallur sot thirrjen për paraqitjen e projektit për pavijonin shqiptar në Bienalen e Arkitekturës në Venecia. Ky event ndërkombëtar do të mbahet në periudhën 10 maj – 23 nëntor 2025, me temën “Intelligens.Natyrale.Artificiale.Kolektive”.
MEKI bëri të ditur se thirrja është hapur për arkitektë dhe artistë shqiptarë për të paraqitur projekte të frymëzuara nga një vëzhgim i kujdesshëm i arkitekturës bashkëkohore dhe shoqërisë shqiptare. Qëllimi është që projekte të cilat shfaqin ndryshime thelbësore në këtë fushë dhe që komunikojnë vizualisht me publikun dhe profesionistët të shfaqen në këtë platformë prestigjioze.
Bienalja e 19-të Ndërkombëtare e Arkitekturës do të prezantojë pjesëmarrjet kombëtare në pavijonet në Giardini dhe Arsenale të Venecias, si dhe në qendrën historike të qytetit.
Ministria inkurajon të gjithë kandidatët të bashkëpunojnë me kuratorë vendas ose të huaj që kanë përvojë në organizime dhe pjesëmarrje në evente të ngjashme. Projekte duhet të dorëzohen deri më 30 shtator 2024 për të marrë parasysh në seleksionimin final.
Pjesëmarrësit pritet të ofrojnë projekte inovative dhe të shfaqin potencialin e lartë të artit dhe arkitekturës shqiptare në nivel ndërkombëtar./UBTNews/
Komunikata e publikuar nga Agjencia Telegrafike Shqiptare (ATSH).