UBT News

Bien çmimet e naftës pas sinjaleve për marrëveshje SHBA-Iran

Çmimet e naftës kanë rënë ndjeshëm, ndërsa tregjet aziatike të aksioneve kanë shënuar rritje, pas shpresave për një marrëveshje që mund t’i japë fund konfliktit mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit, raporton BBC, sot më 25.05.2026.

Të shtunën, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se një marrëveshje me Teheranin ishte “kryesisht e negociuar” dhe se detajet do të bëhen publike së shpejti. Megjithatë, një ditë më vonë ai u kërkoi negociatorëve amerikanë të mos nxitojnë me finalizimin e saj.

Të hënën në mëngjes në Azi, çmimi i naftës Brent ra me 5.5%, duke zbritur në 97.90 dollarë për fuçi, ndërsa nafta amerikane pësoi rënie prej 5.8%, në 90.99 dollarë.

Trump kishte deklaruar më herët se marrëveshja do të përfshinte edhe rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, një rrugë detare shumë e rëndësishme për transportin global të naftës dhe gazit të lëngshëm natyror. Kjo rrugë, nga e cila kalon rreth një e pesta e furnizimit botëror me naftë, është bllokuar që nga fillimi i konfliktit më 28 shkurt.

Indeksi japonez Nikkei 225 u rrit mbi nivelin 65 mijë pikë për herë të parë, pasi investitorët shpresojnë se ngushtica do të rihapet së shpejti. Japonia dhe Koreja e Jugut janë ndër vendet më të prekura nga konflikti, pasi varen shumë nga energjia që vjen nga Gjiri Persik.

Trump gjithashtu tha se kishte zhvilluar biseda me liderët e Arabisë Saudite, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Katarit lidhur me një memorandum për paqen. Ai shtoi se marrëveshja synon të pengojë Iranin të sigurojë armë bërthamore.

Ndërkohë, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmaeil Baqaei, deklaroi se qëndrimet e SHBA-së dhe Iranit janë afruar gjatë javës së fundit, por paralajmëroi se ende nuk ka pajtim për çështjet kryesore dhe akuzoi amerikanët për deklarata kontradiktore.

Exit mobile version