Pas një dominimi më shumë se dy dekadash, erën e Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo duket se po e lëviz një gjeneratë e re futbollistësh. Të dy legjendat, të cilat kanë kaluar dekadat duke thyer rekorde dhe duke fituar tituj, tani po përballen me një rënie të dukshme në vlerat e tyre në tregun e transferimeve.
Sipas specialistëve të “Transfermarkt”, Messi, i cili aktualisht luan për Inter Miami, ka arritur pikën më të ulët të vlerës së tij në merkato që nga viti 2006, me një vlerë prej 25 milion eurosh. Në të njëjtën linjë, Cristiano Ronaldo, pavarësisht kontratës së tij luksoze me Al-Nassr, vlerësohet tani vetëm 15 milion euro.
Kjo rënie në vlerë nuk është vetëm një reflektim i performancës së tyre, por gjithashtu një shenjë e kalimit të brezave në futboll. Tani, vendin e tyre e kanë zënë futbollistë të rinj, të cilët po tërheqin vëmendjen dhe investimet e klubeve.
Në krye të listës së futbollistëve më të shtrenjtë tani janë Vinicius Junior i Real Madridit dhe Erling Haaland i Manchester City, të dy të vlerësuar në 200 milion euro. Pas tyre janë Jude Bellingham dhe Kylian Mbappe, të dy të vlerësuar në 180 milion euro, ndërsa Lamine Yamal plotëson “top 5”-in me një vlerë prej 150 milion eurosh.
Ky ndryshim i dukshëm në vlerat e lojtarëve tregon se futbolli po evoluon, dhe brezi i ri po merr përgjegjësinë për të mbajtur shkëlqimin e sportit./UBTNews/