Shkalla e vaksinimit kundër koronavirusit në Afganistan ka rënë për 80 për qind në javën e parë pas marrjes së pushtetit nga talibanët.
Sipas shifrave të UNICEF-it – Fondacionit për Fëmijë të Kombeve të Bashkuara – në javën që ka nisur më 15 gusht, në Afganistan janë vaksinuar 30,500 njerëz, krahasuar me 134,600 në javën paraprake.
“Rënia është e kuptueshme, pasi në situata kaosi, konflikti dhe emergjence, njerëzit i japin përparësi sigurisë së tyre”, tha për agjencinë Reuters një zëdhënës i UNICEF-it.
Ai po ashtu tërhoqi vërejtjen se afro dy milionë doza të vaksinës Johnson & Johnson në Afganistan, janë në prag të skadimit.
Të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë tregojnë se në Afganistan, deri më 20 gusht, janë dhënë 1.2 milion vaksina kundër koronavirusit.
Ky vend ka një popullsi prej 40 milionë banorësh.
Sipas shifrave zyrtare, mbi 152,000 njerëz atje janë infektuar me koronavirus dhe mbi 7,000 kanë vdekur./REL