Një nga figurat më të rëndësishme në median franceze, e njohur ndryshe si “Mbretëresha e Paparacëve” është vënë në pranga, nën akuzën se pagoi xhaxhanë e Amal Clooney të tërhiqej nga deklaratat e tij se ish-presidenti Nicolas Sarkozy mori para nga koloneli Gaddafi për të financuar fushatën e tij elektorale.
Gazetarja e revistës “Paris Match”, Mimi Marchand është duke u mbajtur e ndaluar në Nante, ku po merret në pyetje nga hetuesit për çështjen në fjalë. Një grup hetimor ka kontrolluar dhe banesën e saj për të gjetur prova të mundshme në lidhje me hetimin për korrupsion që është duke u zhvilluar ndaj Sarkozi.
Gjithashtu u ndalua për disa orë dhe gazetari tjetër Francois de Labarre, i cili u la më pas i lirë pa asnjë akuzë të ngritur ndaj tij.
74 vjeçarja Marchand, e njohur kryesisht si “Mimi” punon vazhdimisht me njerëz shumë të fuqishëm nga bota e politikës dhe spektaklit duke përfshirë këtu dhe presidentin Emmanuel Macron dhe gruan e tij Brigitte.
Marchand dhe de Labarre ishin protagonistë në organizimin e një interviste në muajin nëntor me një nga dëshmitarët kryesorë kundër Sarkozy, Ziad Takieddine, gjatë së cilës ai tërhoqi deklaratat e tij ndaj ish-kreut të shtetit.
Sarkozy prej fillimit të procesit i mohoi akuzat e ngritura ndaj tij dhe pas daljes së intervistës u shpreh se “më në fund e vërteta doli në shesh”.
Por megjithatë, Takieddine e ndryshoi sërish historinë. Përpara hetuesve ai tërhoqi gjithçka kishte thënë për revistën “Paris Match”, duke shtuar se fjalët e tij ishin deformuar.
Faqja e internetit Mediapart shkruan se Marchand dhe de Laberre u ndaluan pasi dyshohet se zhvilluan negociata të fshehta me Takieddine me qëllim për ta bindur atë për t’u tërhequr nga akuzat ndaj Sarkozy.
Para se të tërhiqte pretendimet e tij në intervistën në “Paris Match”, Takieddine gjithmonë kishte pohuar se ai dorëzoi valixhet e mbushura me 5 milionë euro nga Tripoli te shefi i stafit të Sarkozy në 2006 dhe 2007.