UBT News

Biden u bën thirrje republikanëve të miratojnë ndihma të reja për Ukrainën

Presidenti amerikan, Joe Biden u bëri thirrje republikanëve të miratojnë propozimin për ndihma të reja ushtarake për Ukrainën të mërkurën, duke paralajmëruara se një fitore e Rusisë ndaj Ukrainës do të krijonte kushtet që Moska më pas të sulmonte aleatët e NATO-s.

Presidenti Biden i bëri komentet ndërsa Shtetet e Bashkuara po planifikojnë të njoftojnë dhënien e një ndihme shtesë prej 175 milionë dollarësh për Ukrainën nga fondet e pakësuara, tashmë të miratuara nga Kongresi, për Kievin.

“Nëse Putini e merr Ukrainën, ai nuk do të ndalonte aty”, tha presidenti Biden.

Putini do të sulmonte më pas një aleat të NATO-s dhe do të na detyronte të “dërgonim trupa amerikane për të luftuar kundër trupave ruse”, theksoi ai.

“Nuk mund ta lejojmë Putinin të fitojë”, tha presidenti Biden.

Shtëpia e Bardhë paralajmëroi këtë javë se fondet tashmë të miratuara për Ukrainën po pakësohen dhe nuk ka mbetur shumë kohë për miratimin e ndihmave të reja për të ndihmuar Ukrainën në luftën e saj kundër agresionit rus.

Në mes të nëntorit, Departamenti i Mbrojtjes kishte përdorur 97 për qind të ndihmës prej 62.3 miliardë dollarësh nga fondi për Ukrainën, i miratuar nga Kongresi, dhe se Departamenti i Shtetit kishte përdorur të gjithë fondin prej 4.7 miliardë dollarësh të ndihmave ushtarake për Ukrainën, tha këtë javë Drejtorja e Zyrës për Menaxhimin e Buxhetit, Shalanda Young.

Një zyrtar amerikan tha se Shtetet e Bashkuara kanë autorizim për përdorim të një fondi prej më pak se një miliardë dollarësh për Ukrainën. Nëse Kongresi nuk miraton fonde të reja për blerjen e pajisjeve dhe Departamenti i Mbrojtjes mbetet pa fonde për këtë çështje, Ukraina dhe kompanitë e prodhimit të armëve duhet të gjejnë mënyra të tjera për të siguruar më shumë armë për luftën kundër Rusisë.

Siguria në kufirin e Shteteve të Bashkuara me Meksikën është një nga çështjet më të mëdha që kanë qenë pengesë në negociatat mbi miratimin e ndihmave të reja për Ukrainën dhe Izraelin.

Republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senat mbështesin përpjekjet e reja për ndërtimin e një muri kufitar, një nga objektivat kryesor të ish Presidentit Trump, dhe ndryshimin e politikave të azilit, duke detyruar azilkërkuesit që të presin në Meksikë ndërsa zyrat e imigracionit shqyrtojnë kërkesat e tyre për strehim në Shtetet e Bashkuara.

Presidenti Biden ka thënë se ai është i gatshëm të bëjë kompromise “të mëdha” rreth çështjes së kufirit, por theksoi se republikanët nuk do të marrin të gjitha gjërat që i kërkojnë. “Këto janë negociata”, tha ai./VOA

Exit mobile version