Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, paraqiti propozime gjithëpërfshirëse për punë, arsim dhe kujdes social, teksa mbajti fjalimin e parë të madh përpara Kongresit amerikan.
Biden foli në prag të 100-ditëshit në detyrë dhe shfaqi shpresën se ekonomia amerikane, e goditur rëndë nga pandemia e koronavirusit, do të ringjallet.
Ai u ndal tek administrimi i vaksinave kundër koronavirusit në SHBA, duke e përshkruar atë si “një nga arritjet më të mëdha logjistike në historinë e SHBA-së”.
Biden, megjithatë, tha se Qeveria e tij duhet të bëjë më shumë për ta kthyer vendin në këmbët e veta dhe për të siguruar se ai do të udhëheqë botën në dekadat e ardhshme.
Për këtë qëllim, ai tha se planifikon shpenzime masive prej 4 trilionë dollarësh.
“Amerika po lëviz. Po lëviz përpara. Dhe ne nuk mund të ndalojmë tani. Ne jemi në garë me Kinën dhe vendet e tjera për të fituar shekullin 21”, tha Biden.
Biden tha se Plani i tij për Vende Pune parasheh 2.3 trilionë dollarë, ndërsa Plani për Familjet 1.8 trilion të tjerë.
Ai tha se rritja e shpenzimeve do të paguhet nga taksat më të larta për korporatat dhe të pasurit, por ky propozim është refuzuar më herët nga republikanët, e madje edhe nga disa demokratë të tij.
Presidenti u bëri thirrje republikanëve që të mbështesin vizionin e tij, duke thënë se plani i tij për infrastrukturë do të krijonte miliona vende pune, ndërsa plani për familjet do t’i përgatiste të rinjtë për punë të teknologjisë në të ardhmen.
“Pjesa tjetër e botës nuk po na pret. Të mos bësh asgjë nuk është opsion”, tha Biden.
Sipas disa analistëve, presidenti bëri përpjekje të lidhë politikat e tij të shpenzimeve dhe konkurrencën me Kinën, për të fituar mbështetjen e republikanëve. Si republikanët, ashtu edhe demokratët, janë të shqetësuar për rritjen e fuqisë ekonomike dhe ushtarake të Kinës.
Plani i Bidenit për familjet ka në shënjestër familjet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Ai do të siguronte arsim universal parashkollor, dy vjet kolegj falas, qasje në kujdes të përballueshëm për fëmijët, pushime më të gjata familjare dhe ulje taksash.
Sondazhet tregojnë se më shumë se gjysma e amerikanëve e miratojnë punën që Biden ka bërë deri më tani, por administrata e tij pritet të përballet me një luftë të gjatë në Kongres për të kaluar planet e shpenzimeve dhe taksave.
Lufta më e ashpër do të jetë në Senat, i cili është i ndarë 50-50 midis republikanëve dhe demokratëve.