Presidenti amerikan, Joe Biden, do të mirëpresë kancelaren gjermane, Angela Merkel në Shtëpinë e Bardhë më 15 korrik, në atë që pritet të jetë vizita e saj e fundit si kancelare.
Pas disa muajsh Merkel nuk do të jetë më në krye të Gjermanisë.
Vizita e saj vjen dy muaj para zgjedhjeve parlamentare në Gjermani, të cilat do të ndryshojnë udhëheqësinë në Gjermani, për herë të parë nga viti 2005.
Takimi në Uashington pritet të vë në pah vazhdimësinë dhe stabilitetin e marrëdhënieve mes Gjermanisë dhe SHBA-së, si dhe konfirmohet ndryshimi i qasjes nën administratën e presidentit Biden, i cili është zotuar se të krijojë unitet me aleatët tradicionalë të SHBA-së, për dallim nga diplomacia e ish-presidentit amerikan, Donald Trump.
Biden është takuar me Merkelin gjatë punimeve të Samitit të shtatë vendeve më të industralizuara (G7), të mbajtur muajin e kaluar në Angli.
Biden ka thënë më pas se nga liderët evropianë, kancelaren gjermane e admiron më shumë.
Ai po ashtu ka thënë përmes një postimi në Twitter se lidhjet në mes të SHBA-së dhe Gjermanisë “janë më të fuqishme se kurrë”, duke shtuar se është i gëzuar që pret atë në Shtëpi të Bardhë “për të vazhduar punën”.
Në takimin e 15 korrikut, dy politikanët veteranë pritet të diskutojnë pandeminë e koronavirusit, për Kinën dhe për projektin e gazsjellësit Rrjedha Veriore 2, i cili bart gazin natyror nga Rusia në Gjermani.
Projekti i gazsjellësit, në vlerë të 11 miliardë dollarëve, është kundërshtuar nga SHBA-ja.
Uashingtoni beson se ai kërcënon sigurinë e energjisë evropiane.
Biden ka dhënë shenja në muajin maj, se është i gatshëm të lë mbrapa këtë çështje, duke hequr disa sanksione kundër subjekteve gjermane të përfshira në projekt, me arsyetimin se, meqë puna në gazsjellës gati ka përfunduar, sanksionet do të dëmtonin vetëm aleatët evropianë.
Merkel, në anën tjetër, ka thënë se projekti nënkupton vetëm bërje të biznesit me Rusinë, dhe projekti është çështje e sovranitetit kombëtar.