UBT News

Biden: Prania e Al Kaidës në Afganistan është degraduar

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, e shfrytëzoi 10-vjetorin e vrasjes së udhëheqësit të Al Kaidës, Osama bin Laden, për të mbështetur vendimin e tij për tërheqjen e trupave nga Afganistani.

Në një deklaratë të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë, Biden tha se prania e grupit terrorist të Al Kaidës në Afganistan “është degraduar shumë” si rezultat i vrasjes së bin Ladenit dhe luftës gati 20-vjeçare të forcave të NATO-s.

Bin Laden ishte organizatori i sulmeve terroriste të 11 shtatorit, 2001, në SHBA, të cilat lanë të vrarë afro 3,000 njerëz.

“Ne e çuam bin Ladenin në portat e ferrit”, tha presidenti amerikan.

Bin Laden u vra më 2 maj të vitit 2011, në një operacion të forcave speciale amerikane, në Pakistan.

Biden, i cili atëbotë ishte nënpresident i SHBA-së, tha se vrasja e bin Ladenit ishte një moment që nuk do ta harrojë kurrë.

Exit mobile version