Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se nuk pendohet për vendimin e tij që të tërheqë trupat ushtarake nga Afganistani, teksa talibanët vazhdojnë të rrisin kontrollin.
Biden u ka bërë thirrje liderëve në Afganistan që të bashkohen dhe të luftojnë “për kombin e tyre”.
Dhuna është përshkallëzuar në këtë shtet tani që forcat e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara janë duke u tërhequr nga Afganistani, pas 20 vjetëve të operacioneve ushtarake.
Talibanët kanë fituar kontrollin e të paktën tetë nga 34 kryeqytetet e provincave, dhe janë duke kërcënuar për më shumë.
Duke folur para gazetarëve në Shtëpi të Bardhë, Biden ka thënë se SHBA-ja është duke zbatuar përkushtimet që ka bërë për Afganistanin, përfshirë mbështetjen ajrore, pagat për ushtri si dhe sigurimin e ushqimit dhe pajisjeve për forcat afgane.
“Ata duhet të luftojnë për veten e tyre”, ka thënë Biden.
E përditshmja amerikane, The Washington Post, ka cituar zyrtarë të paidentifikuar të kenë thënë se kryeqyteti i Afganistanit, Kabuli, mund të bie në duart e talibanëve brenda 90 ditëve.
Më shumë se 1,000 civilë janë vrarë si pasojë e luftimeve të ashpra në mes të talibanëve dhe forcave qeveritare muajin e kaluar, kanë raportuar Kombet e Bashkuara.
Agjencia për fëmijë e OKB-së, UNICEF, ka paralajmëruar këtë javë se mizoritë ndaj fëmijëve po rriten “ditë pas dite”.
Forcat e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara kanë rrëzuar talibanët nga pushteti në tetor të vitit 2001.
Talibanët kanë qenë duke strehuar atëbotë Osama Bin Laden dhe figura tjera të Al-Kaidës, të lidhura me sulmet e 11 shtatorit të po atij viti në Shtetet e Bashkaura.
Presidenti amerikan Joe Biden ka thënë se tërheqja amerikane tani është e arsyeshme, pasi forcat amerikane janë siguruar që Afganistani nuk do të bëhet më bazë për xhihadistë të huaj që të kryejnë komplote kundër Perëndimit./REL