Jemi më afër se kurrë të shpallim tani pavarësinë nga virusi. Ishte kjo kryefjala e fjalimit të presidentit amerikan Joe Biden në festën kombëtare të Amerikës.
Presidenti i bëri komentet ndërsa priti më shumë se 1000 të ftuar në lëndinën e Shtëpisë së Bardhë, përfshirë punonjës sektorësh kritikë dhe familje të ushtarëve amerikanë. Por teksa lufta vazhdon tha ai duhet të gjithë të vaksinohemi.
Gjatë fjalës së tij presidenti Biden tha se falë fuqisë së shkencës, virusi “nuk kontrollon më jetën tonë”. Por Biden paralajmëroi se pandemia nuk ka mbaruar dhe i nxiti njerëzit të vaksinohen kundër COVID-19.
“Vaksinohuni për veten tuaj, për të dashurit tuaj, për komunitetin tuaj dhe për vendin tuaj”, theksoi presidenti.
Administrata e presidentit Biden kishte vendosur si synim për 4 korrikun, që 70% e të rriturve amerikanë të ishin vaksinuar. Sipas të dhënave nga agjencia e lajmeve Reuters rreth 67% e amerikanëve kanë marrë të paktën një dozë vaksine, transmeton A2.
Amerikanët festuan ditëlindjen e 245-të të vendit të dielën, një vit pasi pandemia detyroi anulimin e pothuajse të gjitha festimeve.