Koleksioneve të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës u është shtuar botimi i vitit 2025 i veprës “La Scanderbeide: Edizione integrale commentata” të Margherita Sarrocchi-t.
Botimi është përgatitur nga Olimpia Gargano dhe është publikuar nga Centro di Cultura e Storia Amalfitana, në serinë Biblioteca Amalfitana.
“La Scanderbeide” konsiderohet një vepër e rëndësishme e letërsisë italiane të shekullit XVII dhe poema e parë epike e shkruar nga një grua në letërsinë italiane të asaj periudhe. Vepra e Sarrocchi-t e vendos figurën e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut në kontekstin e letërsisë evropiane dhe dëshmon jehonën e tij përtej botës shqiptare.
Botimi i vitit 2025 ka rëndësi të veçantë pasi sjell një edicion të ri dhe më të qasshëm të veprës për lexuesit dhe studiuesit.
Sipas Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, ky pasurim i koleksioneve përbën një burim me interes të veçantë për studiuesit e letërsisë, historisë, albanologjisë dhe marrëdhënieve kulturore shqiptaro-italiane./A.K/
