UBT News

Biblioteka Kombëtare e Kosovës hap “Koha e shndërrimit: Kosova 1968–1981, dokumente dhe dëshmi”

Në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës u hap ekspozita dokumentare “Koha e shndërrimit: Kosova 1968–1981 dokumente dhe dëshmi”, e organizuar nga Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës, me rastin e Festës së Flamurit.

Ekspozita paraqet një përzgjedhje të pasur dokumentesh arkivore që hedhin dritë mbi një periudhë kyçe të historisë së Kosovës, ku ndryshimet shoqërore dhe kërkesat për të drejta u shprehën me vendosmëri dhe qartësi.

Hapjen e ekspozitës e bëri U.D. Drejtori Ekzekutiv i ASHAK-ut, Bekim Aliu, i cili theksoi rëndësinë historike të viteve 1968–1981 e nënvizoi se dokumentet e ekspozitës “na ndihmojnë ta shohim veten më qartë”, duke ofruar pasqyrë të sinqertë të transformimeve të asaj periudhe.

Ngjarja u nderua me pjesëmarrjen e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili përgëzoi punën e ASHAK-ut, e cilësoi periudhën 1968–1981 si “vite kyçe e shndërruese në historinë politike e kombëtare”, një kohë që formësoi një gjeneratë të re me ideale të qarta dhe guxim qytetar.

Drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare, Blerina Rogova Gaxha, theksoi rëndësinë e ruajtjes së dokumenteve dhe kujtesës historike:

“Biblioteka Kombëtare mbetet vendi ku dokumentet marrin zë dhe historia rigjen kuptimin e saj. Kjo ekspozitë na rikujton se e kaluara nuk është vetëm për t’u ruajtur, por për t’u kuptuar dhe për t’u përdorur si themel në ndërtimin e të ardhmes.”

Ekspozita përfshin dokumente të rralla, materiale arkivore dhe fotografi që ilustrojnë transformimet shoqërore, politike dhe kulturore të viteve 1968–1981, një periudhë kur qytetarët e Kosovës shprehën aspiratat e tyre për barazi, dinjitet dhe identitet kombëtar.

Kjo ekspozitë ofron udhëtim në të shkuarën e vendit, duke reflektuar mbi sfidat, idealet dhe guximin qytetar që kanë formësuar historinë. /A.Z/UBT News/

Exit mobile version