UBT News

Biblioteka Kombëtare e Kosovës forcon bashkëpunimin me Bibliotekën Kombëtare të Belgjikës

Një takim i rëndësishëm bashkëpunimi është zhvilluar mes drejtoreshës së Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Blerina Rogova Gaxha, dhe drejtoreshës së Bibliotekës Kombëtare të Belgjikës, Sara Lammens.

Në takim ishte i pranishëm edhe ambasadori i Republikës së Kosovës në Belgjikë, Agron Bajrami, si dhe Kimete Mitrovica Basha nga fondacioni “Ydriz Basha” i Novosejt. Gjatë takimit u diskutuan mundësitë për thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, shkëmbimin e përvojave profesionale dhe zhvillimin e projekteve të përbashkëta në fushën e bibliotekarisë dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore.

Në kuadër të vizitës, stafi i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës pati mundësinë të njihet nga afër me ambientet e bibliotekës në Belgjikë, përfshirë koleksionet e veçanta, dorëshkrimet dhe librat e rrallë. Ata gjithashtu u njohën me proceset moderne të digjitalizimit dhe praktikat bashkëkohore të menaxhimit të materialeve bibliotekare.

Kjo vizitë u vlerësua si një mundësi e rëndësishme për shkëmbim përvojash dhe avancim profesional, duke hapur rrugë për bashkëpunime të reja institucionale.

Exit mobile version