Drejtoresha e përgjithshme e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Blerina Rogova Gaxha, ka pritur në takim ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, së bashku me diplomatin Francesk Fusha.
Në qendër të diskutimeve ishte thellimi i bashkëpunimit ndërinstitucional mes dy institucioneve, me fokus organizimin e aktiviteteve të përbashkëta kulturore dhe promovuese.
Një nga temat kryesore ishte edhe organizimi i një ekspozite në kuadër të Vitit të Kadaresë, kushtuar jetës dhe veprës së shkrimtarit të njohur Ismail Kadare.
Takimi u vlerësua si i frytshëm dhe u theksua angazhimi i përbashkët për forcimin e bashkëpunimit kulturor dhe afrimin e publikut me vlerat letrare shqiptare.
