UBT News

Biblioteka Kombëtare e Kosovës bëhet anëtare vëzhguese në rrjetin evropian TRADUKI

Në një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit kulturor dhe integrimit të letërsisë kosovare në tregun evropian të përkthimit dhe botimit, Biblioteka Kombëtare e Kosovës është pranuar si anëtare vëzhguese në rrjetin letrar evropian TRADUKI.

Ky zhvillim vjen pas një procesi të gjatë angazhimi institucional dhe lobimi, i cili ka nisur në dhjetor të vitit 2024. Synimi kryesor ka qenë krijimi i mundësive më të mëdha për përkthimin, botimin dhe promovimin e letërsisë shqipe nga Kosova, veçanërisht në gjuhën gjermane, si dhe rritja e prezencës së autorëve kosovarë në platforma ndërkombëtare.

Gjatë Panairit të Librit në Leipzig, ministrja e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, zhvilloi takime me drejtues të rrjetit TRADUKI dhe përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë, duke riafirmuar përkushtimin e Kosovës për thellimin e bashkëpunimit kulturor ndërkombëtar.

Ndërkohë, drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare, Blerina Rogova Gaxha, së bashku me ambasadorin e Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, zhvilluan një sërë takimesh me përfaqësues të rrjetit TRADUKI dhe institucioneve gjermane. Këto takime kanë ndikuar drejtpërdrejt në avancimin e aplikimit dhe forcimin e bashkëpunimit kulturor ndërinstitucional.

Aplikimi zyrtar për anëtarësim u dorëzua në tetor të vitit 2025, ndërsa në nëntor të po atij viti, Komiteti i TRADUKI miratoi pranimin e Kosovës si anëtare vëzhguese.Ky status pritet të hapë rrugë të reja për promovimin ndërkombëtar të letërsisë kosovare dhe përfshirjen më aktive të saj në rrjetet evropiane të botimit dhe përkthimit.

Exit mobile version