Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” ka bërë një hap të rëndësishëm në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore përmes digjitalizimit të materialeve.
Kjo bibliotekë ka arritur të digjitalizojë gjithsej 1,256,357 imazhe, duke përfshirë libra të rrallë dhe të vjetër si dhe periodikë historikë të kohës. Vetëm gjatë periudhës tetor 2025 – mars 2026, është realizuar një pjesë e konsiderueshme e këtij procesi, i cili sjell në formë digjitale një segment të rëndësishëm të historisë së gazetarisë në Kosovë.
Digjitalizimi synon të lehtësojë qasjen e publikut në këto materiale dhe njëkohësisht të sigurojë ruajtjen afatgjatë të tyre. Përmes këtij projekti, pasuria bibliotekare bëhet më e qasshme për studiuesit, studentët dhe lexuesit e gjerë, duke e afruar historinë e shkruar më pranë çdo qytetari.
Biblioteka Kombëtare thekson se procesi i digjitalizimit do të vazhdojë edhe në të ardhmen, me synimin për të përfshirë sa më shumë materiale dhe për të forcuar qasjen moderne në trashëgiminë kulturore të vendit.
