Anëtarët e rinj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kanë dhënë sot betimin zyrtar para Presidentes Vjosa Osmani.
Pas propozimeve nga partitë politike parlamentare, ekipi i ri i KQZ-së është zotuar për punë të paanshme dhe besnike ndaj ligjit, sipas komunikatës të Zyrës së Presidencës së Kosovës.
Anëtarët që dhanë betimin janë: Alban Krasniqi dhe Violeta Salihu nga Lëvizja Vetëvendosje, Ilir Gashi nga Partia Demokratike e Kosovës, Sami Hamiti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Muharrem Nitaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Stefan Filipoviq nga Lista Serbe, Mufera Sinik nga partia turke KDTP, Delvir Tairi nga Koalicioni Vakat dhe Shukrije Stolla nga Partia Socialdemokrate e Ashaklinjve, siç raporton Radio Evropa e Lire, pasi në njoftimin zyrtarë të presidencës nuk janë dhënë emrat e ri të anëtarëve të KQZ-së
Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e këtij institucioni, duke vënë në dukje se sistemi zgjedhor në Kosovë ka kontribuar vazhdimisht në proceset demokratike.
Anëtarët e betuar premtuan se do t’i kryejnë detyrat e tyre me ndershmëri dhe profesionalizëm të lartë.
