Rekordi i Italisë kundër Shqipërisë mund të sugjerojë një fillim të favorshëm për kampionët në fuqi të Europës. Të dyja kombëtaret janë takuar katër herë, të gjitha që nga nëntori 2014, dhe axurrët kanë fituar gjithmonë, duke shënuar 7 gola dhe pësuar vetëm një të tillë. Megjithatë, duke pasur parasysh se shumë lojtarë në skuadrën e Sylvinhos kanë luajtur ose luajnë ende në Serie A, Shqipëria e njeh mirë këtë kundërshtar.
Duke u rikthyer tek Europiani, pasi bëri debutimin e saj në finalet e edicionit 2016, Shqipëria fitoi një grup kualifikues për një turne të madh për herë të parë në histori. Italia përfundoi e dyta pas Anglisë në grupin e saj kualifikues, por e udhëhequr në sulm nga Gianluca Scamacca, fitues i ri i “Europa League” me Atalantën. Axurrët janë gati të bëjnë mirë në fazën finale të “Euro 2024”.
Formacionet e mundshme
Italia: Donnarumma; Darmian, Buongiorno, Bastoni; Di Lorenzo, Jorginho, Cristante, Dimarco; Frattesi, Chiesa; Scamacca
Shqipëria: Berisha; Hysaj, Ajeti, Gjimshiti, Mitaj; Ramadani, Asllani, Bajrami; Seferi, Asani, Broja
Paolo Menicucci, reporter italian bën këtë prognozë të ndeshjes së nesërme në Dortmund: “Kampionët në fuqi janë të vendosur të mbrojnë titullin, pavarësisht skepticizmit që rrethon ekipin pas dështimit të tyre për t’u kualifikuar në Kupën e Botës dy vite më parë. Mesfusha është e ngjashme me atë të tri viteve më parë, por axurrët kanë gjetur talente të reja në mbrojtje, pas largimit të Leonardo Bonucci dhe Giorgio Chiellini, ndërsa forma e shkëlqyer e Gianluca Scamacca mund të jetë përgjigja perfekte për dyshimet në sulm”.
Luciano Spalletti, trajneri i Italisë: “Të jesh kampion në fuqi është një avantazh, por duhet të kuptojmë menjëherë se duhet të sillemi si kampionë në fuqi. Italia na ka zgjedhur për të përfaqësuar kombin, por vetëm gjatë ndeshjeve do të shohim nëse jemi në lartësinë e kësaj detyre. Ne duhet ta vërtetojmë këtë, duhet ta bindim veten, jo vetëm tifozët. Në njëfarë kuptimi është një sfidë kundër vetes, jo kundër botës së jashtme”.
Sylvinho, trajneri i Shqipërisë: “Pres një paraqitje të shkëlqyer në Europian. E di që nuk është aspak e lehtë, grupi është vërtet i vështirë. Ne i respektojmë kundërshtarët, por jemi njerëz që punojmë shumë. Ne kemi shpirtin e Shqipëria brenda vetes, do të luftojmë për çdo pikë dhe do të përpiqemi të bëjmë më të mirën”.
UEFA dhe autoritetet gjermane po përgatiten për mbi 50,000 tifozë të Shqipërisë që të marrin pjesë në ndeshjen e së shtunës në Euro 2024 kundër Italisë në Dortmund, thanë burimet për ESPN.