UBT News

“Beteja e fundit e Perandorit”, ish-‘ylli’ përgatit lamtumirën madhështore nga futbolli

Adriano, një nga emrat më të njohur të futbollit brazilian dhe ndër legjendat e futbollit italian, ka vendosur të bëjë një lamtumirë madhështore nga fusha e lojës, tetë vjet pas ndeshjes së tij të fundit. Ish-sulmuesi i Parmës, Interit dhe Romës ka shpallur datën e veçantë të lamtumirës: 15 dhjetor 2024, kur ai do të zhvillojë ndeshjen e tij përfundimtare në stadiumin legjendar “Maracanã” në Rio de Janeiro.

Ngjarja e titulluar “Beteja e fundit e Perandorit” do të jetë një festë e madhe për futbollin dhe do të mbledhë një mori emrash të njohur, që kanë luajtur krah Adriano-s gjatë karrierës së tij të shquar, si te Flamengo dhe në futbollin italian. Për ekipin e Flamengo-s, që Adriano e ndihmoi të fitojë tituj të rëndësishëm në Brazil, do të luajnë legjenda si Zico, Junior, Petkoviç, Léo Moura, Vagner Love dhe Ronaldo Angelim. Nga ana tjetër, për ekipin italian të Adriano-s do të jenë emra të njohur të futbollit ndërkombëtar, përfshirë Ivan Ramiro Cordoba, Nicolas Burdisso, Carlos Gamarra, David Pizarro, Maxwell, Maicon dhe Julio Cesar.

Adriano shprehet i emocionuar për ndeshjen e tij të lamtumirës, duke thënë: “Ajo që dikur ishte një ëndërr po bëhet realitet. Jam shumë i lumtur që do të kem kaq shumë “yje” dhe miq të pranishëm në ndeshjen time të lamtumirës dhe mezi po pres që të vijë dita. Do të jetë një festë e madhe.”

Për shumë vite, Adriano ka qenë një nga futbollistët më të dashur dhe më të fuqishëm në botë. Pas një karriere që përfshin arritjet madhështore si në Serie A me Interin, ku fitoi 4 tituj kampion, 2 Kupa të Italisë dhe një Superkupë, ai u kthye në Brazil dhe mori pjesë në fitimin e kampionatit brazilian me Flamengo në vitin 2009. Megjithatë, ai u largua nga Interi pak para suksesit të famshëm të Tripletës së Interit të José Mourinhos, një vendim që ende mbetet një nga çështjet më të diskutuara të karrierës së tij.

Ndeshja e lamtumirës do të organizohet nga kompania sportive MTR7, në partneritet me MCASport dhe studion ligjore Diogo Souza. Adriano ka theksuar se, pavarësisht se ka ndaluar së luajturi prej disa vitesh, ai kishte nevojë për këtë ngjarje për të mbyllur karrierën e tij në mënyrën më të denjë të mundshme. “Ua detyroja të gjithë atyre që më kanë mbështetur dhe vazhdojnë ta bëjnë këtë,” tha ai, duke theksuar emocionet që ndien për këtë moment të veçantë.

Në këtë ndeshje, Adriano pritet të luajë disa minuta me Flamengo-n dhe disa minuta me Interin, duke i dhënë fund një karriere që ka lënë pas shumë kujtime të paharrueshme për tifozët në mbarë botën./UBTNews/

Exit mobile version