Besnik Tahiri i kërkon takim Avni Deharit për caktimin e seancës së radhës së KuvenditShefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, i ka kërkuar sot zyrtarisht takim kryesuesit të seancës knstituive, Avni Dehari, për të koordinuar përgatitjet rreth mbajtjes së seancës së radhës së Kuvendit të Kosovës.
Tahiri ka theksuar se, në përputhje me Rregulloren e Punës së Kuvendit dhe afatin e përcaktuar 48-orësh, seanca konstituive duhet të mbahet ditën e premte.
“Sot i kam drejtuar një kërkesë Kryesuesit të Seancës Konstituive, z. Avni Dehari, për zhvillimin e një takimi lidhur me përgatitjen dhe koordinimin e seancës së radhës, e cila, në përputhje me Rregulloren e Punës së Kuvendit, duhet të mbahet nesër”, ka njoftuar Tahiri.
Përfaqësuesi i AAK-së ka propozuar që takimi të zhvillohet deri në orën 13:30 në ambientet e Kuvendit, duke nënvizuar se kjo kërkesë bëhet në frymën e përgjegjësisë institucionale dhe respektimit të procedurave parlamentare.
“Pres konfirmimin e kohës dhe vendit të takimit”, ka deklaruar më tej Tahiri. /E.A/
