UBT News

Besnik Krasniqi pas kualifikimit historik: “Suksesi më i madh në karrierën time”

Besnik Krasniqi, autori i golit vendimtar në fitoren e Dritës kundër Differdanget, ka shprehur entuziazëm të madh pas kualifikimit historik të skuadrës nga Gjilani në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës së UEFA-s.

Drita fitoi të dyja ndeshjet e fazës play-off – 2-1 në Prishtinë dhe 1-0 në Luksemburg – me Krasniqin që shënoi nga pika e bardhë në sfidën e kthimit, duke vulosur rezultatin e përgjithshëm 3-1.

“Jam shumë i lumtur për fitoren dhe që goli im ishte vendimtar. Ishim pak në presion, pasi e kemi ditur se është natë historike. Dhe ia arritëm. Jam shumë i lumtur për tifozët e Dritës, po ashtu për presidentët që kanë bërë punë të jashtëzakonshme dhe e kanë merituar këtë,” tha Krasniqi pas ndeshjes.

Mesfushori e cilësoi këtë si suksesin më të madh në karrierën e tij deri më tani, por theksoi se skuadra nuk do të ndalet këtu: “Ky nuk është fundi. Kemi ende punë. Në grupe do të jemi më të qetë dhe do të bëjmë lojëra shumë më të mira.”

Ai gjithashtu u ndal te presioni që kishte ndjerë skuadra si favorite, por theksoi se menaxhimi i situatës ishte çelësi i suksesit: “Si favoritë kishim një lloj presioni, por e menaxhuam mirë dhe në fund u shpërblyem. Falënderoj tifozët dhe familjen time për mbështetjen.”

Exit mobile version