UBT News

Besiktasi shpërthen pas humbjes, në shënjestër edhe Fidan Aliti

Besiktasi ka reaguar ashpër pas humbjes 1:0 ndaj Alanyasporit, në ndeshjen e vlefshme për xhiron e dytë të Superligës së Turqisë.

Klubi nga Stambolli ka shprehur pakënaqësi të madhe me vendimet e gjyqtarëve, veçanërisht me gjyqtarin kryesor Adnan Deniz Kayatepe dhe disa prej vendimeve të tij gjatë takimit.

Në qendër të polemikave ishte edhe kapiteni i Alanyasporit, Fidan Aliti. Besiktasi publikoi një video në rrjetet sociale me disa nga situatat e diskutueshme ku ishte i përfshirë mbrojtësi kosovar.

Një nga rastet më të diskutuara ishte përplasja mes Alitit dhe sulmuesit belg Leandro Trossard në zonën e rreptësisë. Besiktasi pretendon se ndaj Trossardit është përdorur forcë e palejueshme dhe se Aliti duhej të ndëshkohej me karton të kuq.

Në pamjet e publikuara nga klubi shihet kontakti mes dy futbollistëve, ndërsa Trossard pas ndeshjes pretendoi se ishte goditur me shuplakë.

“VAR-i ishte aty dhe, nëse do të ishte përdorur siç duhet, vendimi duhej të ndryshonte qartë. Mendoj se kundërshtari më goditi me shuplakë. Ishte karton i kuq i pastër. Vendimi duhej të ndryshohej”, deklaroi Trossard.

Gjyqtari Kayatepe e ndërpreu lojën pas incidentit, por VAR-i nuk ndërhyri për ta ndryshuar vendimin.

Besiktasi kontestoi edhe anulimin e një goli të tij, duke pretenduar se nuk kishte faull ndaj Alitit në zonë. Klubi turk publikoi gjithashtu një moment tjetër ku Aliti shihet duke e kapur për fanelle Dusan Vlahovicin, teksa sulmuesi po tentonte të futej në zonën e rreptësisë.

Përmes një komunikate zyrtare, Besiktasi kritikoi ashpër ekipin e gjyqtarëve dhe kërkoi që Kayatepe dhe zyrtarët e tjerë të përfshirë të mos gjykojnë më ndeshjet e klubit.

“Adnan Deniz Kayatepe, vendimet skandaloze të të cilit nga gjysmëfinalja e kaluar e Kupës janë ende të freskëta në kujtesën tonë, ka shtuar edhe një tjetër turp në bilancin e tij. Lojtari kundërshtar e goditi Trossardin me shuplakë para gjithë botës. Gjyqtari nuk e pa incidentin, ndërsa VAR-i mbeti i heshtur”, thuhet në reagimin e Besiktasit.

Klubi nga Stambolli pretendon gjithashtu se goli i tij u anulua për një faull që nuk ekzistonte, ndërsa ka kontestuar edhe ndërhyrjen e Alitit ndaj Vlahovicit.

Në këtë takim, Florent Hadërgjonaj ishte protagonist për Alanyasporin, duke asistuar në golin e vetëm të ndeshjes. Ndërkohë, Milot Rashica e ndoqi takimin nga banka rezervë e Besiktasit.

Referimi në futbollin turk vazhdon të jetë temë e debatit të madh, ndërsa ankesat ndaj gjyqtarëve kanë nisur që në xhirot e para të sezonit të ri.

D.L

Exit mobile version