Besian Kutleshi ka udhëhequr Australinë drejt fitores në ndeshjen e parë të fazës grupore të Kupës së Botës U17, ku australianët triumfuan 2:0 ndaj Argjentinës.
Futbollisti me prejardhje shqiptare ishte kapiten i skuadrës në këtë përballje, të zhvilluar në Doha të Katarit, ndërsa luajti deri në minutën e 81-të.
Kutleshi vlerësohet si njëri prej talenteve më premtues të futbollit australian. Edhe pse zakonisht aktivizohet në disa pozita në repartin defensiv, në përballjen ndaj Argjentinës u paraqit në mesfushë.
Në nivelin e seniorëve, Kutleshi ka të drejtë të përfaqësojë Kosovën ose Shqipërinë.
Ai kishte bërë histori në gusht të vitit 2024, kur u bë futbollisti më i ri që debutoi për ekipin e parë të Western Unitedit. Kontratën e parë profesionale e kishte nënshkruar në moshën 15-vjeçare.
Ndërkohë, si 16-vjeçar, ai luajti edhe në Ligën e Kampionëve të Azisë me Melbourne Cityn, klubin ku aktivizohet aktualisht.
Pas ndeshjeve të para, Australia dhe Mozambiku kryesojnë grupin me nga tri pikë. Mozambiku e nisi garën me fitore bindëse 4:0 ndaj Danimarkës.
D.L
