Gjermania, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca i kërkuan të enjten Iranit që të ndalojë përshkallëzimin e tij bërthamor dhe të përfundojë urgjentisht marrëveshjen që aktualisht është në tryezë, për të ringjallur marrëveshjen bërthamore të vitit 2015.
“Ka pasur një marrëveshje të qëndrueshme në tryezë që nga marsi. Na vjen keq që Irani nuk ka shfrytëzuar mundësinë diplomatike për të përfunduar marrëveshjen. Ne e nxisim atë ta bëjë këtë tani”, thanë ata në një deklaratë të përbashkët.
I njohur zyrtarisht si Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit (JCPOA), marrëveshja e vitit 2015 i dha Iranit lehtësim nga sanksionet e dëmshme ekonomike në këmbim të frenimit të aktiviteteve të tij bërthamore.
Por në vitin 2018, atëherë presidenti i SHBA-së, Donald Trump, u tërhoq në mënyrë të njëanshme nga pakti dhe rivendosi sanksionet, duke e shtyrë Iranin të fillojë të tërhiqet nga angazhimet e veta.
Bisedimet për ringjalljen e marrëveshjes filluan në prill të vitit të kaluar, por kanë ngecur që nga marsi.
Mbikëqyrësi i OKB-së për energjinë atomike tha më herët të enjten, Irani po hiqte 27 kamera vëzhgimi në objektet e tij bërthamore, duke paralajmëruar se kjo mund të ishte një goditje fatale për negociatat.
“Këto veprime vetëm sa e përkeqësojnë situatën dhe komplikojnë përpjekjet tona për të rivendosur zbatimin e plotë të JCPOA. Ne i bëjmë thirrje Iranit që të ndërpresë përshkallëzimin e tij bërthamor dhe urgjentisht të përfundojë marrëveshjen që aktualisht është në tryezë për të rivendosur JCPOA, ndërkohë që kjo është ende e mundur”, thuhet në deklaratën e përbashkët. /UBTNews/