Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka deklaruar në një konferencë për media se partia e tij nuk do të bëhet pjesë e, siç e quajti ai, një procesi që po dëmton rendin kushtetues dhe po shndërrohet në një spektakël politik që ka zgjatur tash e katër muaj.
Sipas Tahirit, ky proces nuk përfaqëson një procedurë të mirëfilltë demokratike për zgjedhjen e presidentit, por një përpjekje për manipulim të opinionit publik. Ai theksoi se AAK-ja nuk do të marrë pjesë në atë që e cilësoi si “komplot ndaj shtetit”, në asnjë rrethanë.
Ndërkohë, deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, u shpreh se nëse partia e tij do të kishte një rol më të madh në këtë proces, çështja do të mund të zgjidhej brenda një kohe shumë të shkurtër.
Berisha gjithashtu theksoi se bashkimi i opozitës do të ishte çelësi për tejkalimin e situatës aktuale. Sipas tij, kryeministri Albin Kurti po kontribuon në përçarje, ndërsa shtoi se ndalimi i kësaj përçarjeje do t’i hapte rrugë zhvillimit dhe përparimit të vendit.
