Atalanta e Berat Gjimshitit do të përballet sot në orën 18:45 me Shturm Gracin në sfidën e parafundit të fazës së grupeve në Ligën e Kampioneve. Kjo ndeshje ka një rëndësi të madhe për ekipin italian, i cili aktualisht ndodhet në vendin e 13-të të grupit me 11 pikë, dhe një fitore do t’i siguronte menjëherë kalimin në fazën “play-off”.
Pavarësisht se ky është objektivi i parë për Atalantën, fitorja ndaj Shturm Gracit ka një rëndësi edhe më të madhe, pasi do të rrisë shanset e ekipit për të arritur një vend mes 8 më të mirave të Europës. Ndeshja në letër duket e thjeshtë, por ekipi i Bergamos është i vetëdijshëm se çdo gabim mund të ndikojë në shanset e tyre për të avancuar më tej.
Nga minuta e parë, pritet që mbrojtësi i kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti, të jetë titullar në këtë sfidë, duke luajtur një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e skuadrës.
Një fitore ndaj Shturm Gracit është thelbësore për Atalantën, jo vetëm për të siguruar kalimin në fazën tjetër, por edhe për të shmangur rrezikun që mund të sjellë një humbje. Ky është një moment i ndjeshëm, pasi ndeshja e fundit në grup do të jetë kundër Barcelonës së Hansi Flikut, një sfidë shumë e vështirë për të cilën Atalanta duhet të jetë e gatshme./UBTNews/