Qendërmbrojtësi Medhi Benatia pritet të kthehet në Serie A pas dy vjetësh në Katar te skuadra Al-Duhail.
Mediumet italiane kanë raportuar të hënën se Benatia pritet t’i bashkohet skuadrës së Parmas, e cila tashmë ka arritur marrëveshje me ekipin nga Katari.
Parma do ta huazojë Benatian deri në fund të këtij edicioni, me detyrim të blerjes së kartonit të tij në verë për dy milionë euro. Benatia 33-vjeçar, këtë edicion ka vetëm gjashtë paraqitje te Al-Duhail, ekip të cilit iu bashkua në janar të vitit 2019 nga Juventusi.
Benatia krahas Juventusit, ka bërë karrierë edhe te Roma, Udinese, Bayerni e Marseille. Me Juventusin ka fituar tre tituj kampioni të Italisë.