Regjisori amerikan i serialit “Severance”, Ben Stiller, tregoi hapur pse hoqi dorë nga aktrimi. Stiller është aktor, komedian, producent dhe regjisor, i cili shkëlqeu në disa filma tejet të njohur që nga viti 1990.
Ai u shfaq në “Zoolander”, “Meet The Parents”, “Night At The Museum”, dhe “The Cable Guy”. Sidoqoftë, që nga viti 2017, ai nuk u shfaq në filma dhe madje kishte vetëm role të vogla në filmat sikurse “Hubie Halloween”. Ndonëse nuk aktroi, ai drejtoi dhe prodhoi disa projekte, dhe e fundit ishte “Severance”. Ky serial u shfaq premierë në Apple TV më 18 shkurt të këtij viti. Në serial shkëlqejnë Christopher Walken, John Turturro, Adam Scott dhe Patricia Arquette.
Në një intervistë për Yahoo!, regjisori Stiller tha se arsyeja pse hoqi dorë nga aktrimi ishte për të krijuar një lloj balanci mes punës dhe jetës. Stiller e pranoi se nuk ishte diçka që ai e bëri qëllimisht, por thjesht se ai u interesua më shumë për të eksploruar regjinë dhe prodhimin. Për një periudhë kohore ai u shfaq edhe në seriale dhe drejtoi disa projekte, por për shkak të ngarkesës së punës, vendosi se mund ta bëjë vetëm njërën. Kjo e shtyu atë që të zhvendosej më shumë drejt regjisë dhe produksionit, ndonëse ka ardhur në një pikë ku i mungon aktrimi dhe mezi pret t’i kthehet një ditë.
“Kanë kaluar disa vite [që kur kam aktruar]. Nuk ka qenë krejtësisht e qëllimshme, përveçse më pëlqen vërtet regjia dhe produksioni. Tani po arrij në pikën ku më mungon pak aktrimi dhe do të doja të kuptoja se si të bëjë diçka përsëri. Por për një kohë të gjatë do të drejtoja dhe aktroja në të njëjtin projekt, por kohën e fundit ose realisht pesë vjet më parë vendosa që nuk doja ta bëja më këtë dhe vetëm doja të bëja një gjë në të njëjtën kohë. Dhe së fundmi kam eksploruar disa projekte dhe si regjisor e producent kam qenë shumë i lumtur me këtë. Por me të vërtetë mezi pres të aktroj sërish”, deklaroi ai.
Edhe nëse ai nuk do t’i rikthehet aktrimit, suksesin e ka të garantuar edhe me regji./UBTNews/