Në Bruksel, pas disa javësh kaosi, autoritetet belge kanë nisur të vënë nën kontroll fluksin e refugjatëve ukrainas.
Një qendër e re, që synon të ndihmojë personat që i arratisen pushtimit rus, u mbush menjëherë me kërkesa për regjistrim.
40 tryezat e saj tregojnë se qendra është e pajisur mirë për t’u përballur me fluksin e njerëzve, por a është ajo në gjendje të menaxhojë 200 mijë refugjatë që pritet të vijnë në Belgjikë?
“Po, ne do të bëjmë maksimumin. Mobilizimi qytetar është gjithashtu i rëndësishëm. Qeveria po përpiqet të rrisë kapacitetet e pritjes dhe po bën gjithçka për të zgjeruar sa më shumë infrastrukturën në dispozicion të personave të zhvendosur, të paktën për një periudhë të përkohshme”, u shpreh Dominique Ernould, zëdhënës i Zyrës Belge për të Huajt.
Qendra e regjistrimit është e vetmja në vend që ndjek procedurat e refugjatëve ukrainas. Kjo do të thotë se radha e pritjes është e gjatë.
Por pas së hënës, ditë kur u hap dhe kur radhët nuk kishin fund, situata duket më e qetë. Qytetarët që vijnë nga Ukraina thonë se duan t’i rikthehen jetës normale.
“Ne i jemi mirënjohës popullit belg, sepse të gjithë janë të sjellshëm dhe po na mbështesin. Shpresoj që gjërat të rregullohen, sepse kur filloj të mendoj për shtëpinë time dhe bashkëshortin që ka mbetur atje nis të qaj. Nuk e di ç’do të ndodhë, por unë synoj të regjistrohem, të gjej një punë dhe të kem një jetë normale, që të çoj fëmijët në shkollë dhe të jetoj këtu”, tha Tanya, refugjate ukrainase.
Procesi është pjesë e direktivës së fundit të përkohshme të BE-së, që u garanton refugjatëve akses në akomodim, si dhe mundësinë e punësimit. Gjithçka tingëllon bukur, por të kalosh nga fjalët tek veprat është një tjetër çështje.