UBT News

Belgjika mposht bindshëm SHBA-në dhe siguron çerekfinalen e Botërorit

Belgjika është kualifikuar në çerekfinale të Kupës së Botës 2026, pasi mposhti bindshëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës me rezultat 4:1 në ndeshjen e zhvilluar në Seattle, para 66.925 shikuesve.

Edhe pse ishte një nga përballjet më të përfolura të këtij Botërori për shkak të zhvillimeve jashtë fushës, sfida në fushën e lojës u dominua nga belgët.

Charles De Ketelaere kaloi Belgjikën në epërsi në minutën e nëntë, ndërsa Malik Tillman barazoi shifrat për SHBA-në në minutën e 31-të. Gëzimi i amerikanëve zgjati pak, pasi vetëm dy minuta më vonë De Ketelaere realizoi golin e dytë personal për t’i rikthyer epërsinë belgëve.

Në pjesën e dytë, Hans Vanaken shënoi për 3:1 në minutën e 57-të, ndërsa Romelu Lukaku vulosi fitoren me golin e realizuar në kohën shtesë, në minutën e 93-të.

Para ndeshjes pati zhvillime që shkaktuan reagime të shumta në botën e futbollit. FIFA vendosi të pezullojë dënimin me një ndeshje moslojë të sulmuesit amerikan Folarin Balogun, i cili ishte ndëshkuar me karton të kuq në sfidën e kaluar. Sipas raportimeve, vendimi erdhi pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump, zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, duke kërkuar rishqyrtimin e kartonit të kuq të Balogun. Sulmuesi ishte titullar ndaj Belgjikës, por nuk arriti të lërë gjurmë në ndeshje.

Me këtë fitore, Belgjika avancon në çerekfinale, ku do të përballet me Spanjën.

D.L

Exit mobile version