Kryeministri belg, Alexander De Croo, tha sot se një kërcënim me bombë vetëvrasëse ishte nxitës për vendimin e tij për t’i dhënë fund operacioneve të evakuimit të Belgjikës nga Aeroporti i Kabulit, transmeton UBT News.
“Situata u përkeqësua ndjeshëm, ne morëm informacion nga burimet amerikane dhe nga vendet e tjera se kishte një sulm me bombë vetëvrasëse në zonën e aeroportit”, tha De Croo gjatë një konference për medie.
“Ky informacion na shtyu të përfshihemi në një kontakt të madh me aleatët tanë dhe përfundimisht të ndërpresim të gjitha fluturimet nga Kabuli në Islamabad”, shtoi ai.
Të evakuuarit e fundit belgë që mbetën në terren në aeroportin e Kabulit u evakuuan mbrëmë, duke u ulur në orën 21:30, sipas kohës së Islamabadit.
Ekipet belge gjithashtu evakuuan disa shtetas të huaj. Kjo e çon totalin e evakuimit belg në 23 fluturime dhe 1,400 pasagjerë, përcjell UBT News.
Holanda ndërkohë pret që fluturimi i saj i fundit i evakuimit nga Afganistani do të largohet të enjten, tha qeveria në një letër drejtuar parlamentit.
“Ky është një moment i dhimbshëm sepse do të thotë që përkundër të gjitha përpjekjeve të mëdha të periudhës së kaluar, njerëzit që kanë të drejtë për evakuim në Holandë do të lihen prapa”.
Ministria holandeze e Punëve të Jashtme gjithashtu ka këshilluar njerëzit të mos shkojnë në aeroportin e Kabulit, duke ndjekur shembullin e SHBA-s dhe Britanisë së Madhe për shkak të një kërcënimi të vazhdueshëm terrorist nga ISIS-K./UBTNews