Bekim Sejdiu është tërhequr zyrtarisht nga kandidatura për president të Republikës së Kosovës. Lajmin e ka bërë të ditur vetë ai përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ku ka njoftuar se për këtë vendim ka informuar paraprakisht përfaqësuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Lëvizjes Vetëvendosje (LVV).
Sipas Sejdiut, vendimi për tëheqje ka ardhur si rezultat i mungesës së mbështetjes së nevojshme parlamentare dhe devijimit të procesit për shkak të përplasjeve politike.
Përmes një mesazhi drejtuar qytetarëve, Sejdiu ka sqaruar se propozimi për kandidaturën e tij si emër jopartiak kishte ardhur pas një procesi bisedimesh mes LDK-së dhe LVV-së.
“Para dy javësh u kontaktova nga përfaqësues të Lidhjes Demokratike të Kosovës, nga të cilët u ftova në një takim të përbashkët me delegacionet e kryesuara nga liderët e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të Lëvizjes Vetëvendosje. Aty u njoftova se, pas një procesi shterues bisedimesh, këto dy parti kanë arritur pajtueshmëri që emri im të propozohet si kandidat jopartiak për President të Republikës së Kosovës”, shkruan Sejdiu.
Sejdiu ka theksuar se pranimi i kandidaturës nuk buronte nga ambiciet personale, por nga dëshira për të ndihmuar në tejkalimin e krizës institucionale:
“Komoditetin personal dhe indiferencën intelektuale nuk i kam konsideruar asnjëherë opsione kundruall nevojës për t’i shërbyer vendit, sidomos në situata krizash… motivi im i parë dhe i vetëm për ta pranuar propozimin për postin e Presidentit të shtetit ka qenë që të vihem në shërbim të zhbllokimit të ngërçit institucional”, sipas Sejdiut.
Megjithatë, duke parë ecurinë e ngjarjeve politike dhe manovrimet e brendshme partiake, ai njoftoi përfundimisht tërheqjen nga garë.
“Në rrethanat e krijuara, të karakterizuara nga mungesa e mbështetjes së nevojshme parlamentare për zgjedhjen time si Presidentit dhe nga devijimi i tërë procesit në vorbullën e dinamikave dhe përplasjeve të brendshme politike, kam vendosur të tërhiqem nga kandidatura për President të Republikës së Kosovës”.
Në përmbyllje të reagimit të tij, Bekim Sejdiu ka falënderuar qytetarët, shoqërinë civile dhe mërgatën shqiptare në SHBA për mbështetjen e ofruar, ndërsa u ka bërë thirrje subjekteve politike për maturi dhe bashkim:
“Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj nuk kanë nevojë për drama politike dhe thellim të polarizimit, por për maturi dhe bashkim në funksion të forcimit të shtetit tonë. Prandaj, me sinqeritetin më të madh shpresoj se partitë politike do të gjejnë rrugëdalje nga ky rreth vicioz… Kosova qëndron mbi çdonjërin prej nesh, ndaj, së bashku, ia kemi borxh t’i shërbejmë me devotshmëri, gjithmonë, kurdo dhe pa asnjë kusht”, përmbyll shkrimin e tij Sejdiu.
