Bekim Balaj, sulmuesi i njohur i Kombëtares shqiptare, ka vendosur të tërhiqet nga angazhimi i tij ndërkombëtar, duke i dhënë fund një karriere të lavdishme me ekipin kombëtar. Balaj, i cili aktualisht luan në kampionatin “Abissnet Superiore” me Vllazninë, njoftoi këtë vendim përmes një komunikimi me trajnerin Silvinjo, stafin teknik dhe Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF).
Në karrierën e tij me fanellën kuqezi, Balaj ka zhvilluar 48 ndeshje, duke shënuar 9 gola. Ndër momentet më të veçanta në karrierën e tij mbetet goli historik kundër Portugalisë në “Estádio Municipal de Aveiro”, që i dha Shqipërisë një fitore të paharrueshme dhe vendosi bazat për kualifikimin e parë historik në Kampionatin Europian “Francë 2016.” Ky gol është ende një burim krenarie për të gjithë shqiptarët në mbarë botën. Balaj, gjithashtu, ishte pjesë e Kombëtares gjatë Europianit, ku u aktivizua në fitoren e rëndësishme ndaj Rumanisë me rezultatin 1-0.
Federata Shqiptare e Futbollit e falënderoi Balajn për kontributin e jashtëzakonshëm me fanellën kombëtare, duke e përshkruar atë si një lojtar që ka lënë një gjurmë të pashlyeshme në historinë e futbollit shqiptar. FSHF i uron sulmuesit sa më shumë suksese në vazhdimësi dhe vlerëson rolin e tij të rëndësishëm në ngritjen e imazhit të futbollit shqiptar./UBTNews/