UBT News

Bejtullahu i kërkon falje Gjilanit

Arbitri Mervan Bejtullahu të hënën gjatë një postimi në rrjetet sociale i ka kërkuar falje skuadrës së Gjilanit për mos akordimin e dy penalltive në ndeshjen ndaj Dukagjinit. 

Gjilani barazoi pa gola në udhëtim me Dukagjinin në ndeshjen që i takoi javës së 21-të të Superligës së Kosovës në futboll.

Gjatë ndeshjes ishin dy raste të kontestueshme për penallti në minutën e 15-të dhe krejt në fund të ndeshjes. Por, Bejtullahu gjatë postimit ka theksuar se nuk është ftuar nga VAR-i për rishikim të rasteve.

Ai e pranoi se nëse ishte ftuar nga VAR-i ai do t’i akordonte dy penalltitë.

“Analiza e thellë e videos nga ndeshja Dukagjini – Gjilani, , ku unë isha arbitri kryesor, kam zbuluar dy gabime të rënda. Në minutën e 15-të dhe në minutat shtesë, kam neglizhuar dy penallti të qarta dhe të padiskutueshme në favor të Gjilanit. Pavarësisht pamjeve të qarta dhe teknologjisë VAR, nuk jam thirrur për rishikim në asnjë prej këtyre rasteve. Jam plotësisht i bindur se, nëse do të më ishte dhënë mundësia të rishikoja pamjet, do të kisha akorduar të dyja penalltitë. Kërkoj ndjesë të sinqertë ndaj klubit të Gjilanit, tifozëve-SKIFTERAVE dhe gjithë qytetit për këto gabime të paqëllimshme”, ka shkruar Bejtullahu.

Exit mobile version