Një zbulim i ri arkeologjik ka dalë në dritë në Egjipt në nekropolin e Saqqaras, 30 km në jug të kryeqytetit Kajro. Arkeologët nga Muzeu Egjiptian, Ministria Egjiptiane e Antikiteteve dhe Muzeu Kombëtar i Antikiteteve në Leiden të Holandës kanë zbuluar mbetjet e varrit të Panehsy, i cili daton në periudhën e hershme Ramesside (1250 para erës sonë).
Panehsy ishte në krye të tempullit kushtuar Amunit. Ekspedita arkeologjike ka nxjerrë në pah edhe disa komplekse funerale. Zbulimi hedh dritë të re mbi zhvillimin e nekropolit Saqqara në periudhën Ramesside.
Saqqara është nekropoli i kryeqytetit të lashtë egjiptian Memphis, i cili sipas traditës egjiptiane u themelua në vitin 3000 para Krishtit nga mbreti Menes, faraoni i parë i Egjiptit të bashkuar. Varri i Panehsy-t ka formën e një tempulli, me një hyrje monumentale dhe një oborr me një portik me kolona, në qendër të të cilit është një pus i cili u jep akses dhomave të varrimit nëntokësor. Në anën perëndimore, oborri është i rrethuar nga tre kapela.
Kompleksi funeral në formë drejtkëndëshe, me përmasa 13.4 metra me 8.2 metra, kufizohet në jug me varrin e famshëm të Maya, një zyrtar i lartë përgjegjës për thesarin e faraonit Tutankhamun. Muret prej qerpiçi të strukturës së sipërme të varrit të Panehsy-t janë ende në këmbë dhe arrijnë një metër e gjysmë lartësi dhe janë të zbukuruara me pllaka ballore gëlqerore, të cilat tregojnë relieve me ngjyra në të cilat dallohen varret e Panehsy-t dhe gruas së tij Baia, këngëtarja e Amunit dhe disa priftërinj./syri.net