UBT News

Bëhet ndërrimi i komandës së KFOR-it në Kosovë

Në Shtabin e Përgjithshëm të KFOR-it në Prishtinë sot është mbajtur ceremonia zyrtare e ndërrimit të komandës së misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë. Gjatë kësaj ngjarjeje, komandanti i deritanishëm, gjeneralmajor Özkan Ulutaş, ia dorëzoi zyrtarisht detyrën gjeneralmajorit Roberto Vergori, i cili do të marrë drejtimin e mëtejshëm të misionit.

Në këtë ceremoni të rëndësishme morën pjesë krerët më të lartë të institucioneve shtetërore të Kosovës, përfshirë presidenten e sapozgjedhur, Justina Shiroka Pula, kryeministrin Albin Kurti, kryetaren e Kuvendit, Albulena Haxhiu, si dhe ministrave e ish-presidentëve të vendit.

Kryeministri Albin Kurti falënderoi gjeneralmajorin Ulutaş për shërbimin dhe kontributin e tij në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Republikën e Kosovës, duke i uruar njëkohësisht sukses komandantit të ri, gjeneralmajorit Vergori, në përgjegjësinë e tij të re.

Gjatë ceremonisë, kryeministri Kurti zhvilloi edhe një bashkëbisedim me ministrin e Mbrojtjes të Italisë, Guido Crosetto, nga i cili u informua se Italia po përgatit një dokument për zgjerimin dhe thellimin e bashkëpunimit bilateral ushtarak me Kosovën. Qeveria dhe Forca e Sigurisë e Kosovës rikonfirmuan përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit me KFOR-in në shërbim të paqes dhe stabilitetit. /E.A/

Exit mobile version