Presidenti i Shqipëri, Bajram Begaj, zhvilloi sot një takim me akademikë nga Shqipëria dhe Kosova, ku u diskutua mbi rëndësinë e ruajtjes dhe promovimit të identitetit kombëtar dhe gjuhësor shqiptar.
Në takim morën pjesë: Justina Shiroka Pula, kryetare e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Skënder Gjinushi, kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, si dhe akademikë të tjerë nga të dy vendet.
Kreu i Shtetit përgëzoi kryetarët e akademive për bashkëpunimin e deritanishëm, veçanërisht në projektet që promovojnë elementë të identitetit kombëtar dhe adresojnë çështje bashkëkohore shoqërore. Ai u ndal veçanërisht tek projekti madhor “Enciklopedia e shqiptarëve”, një iniciativë e përbashkët e akademive dhe instituteve albanologjike, transmeton ATSH.
Begaj vlerësoi rolin thelbësor të akademikëve në ruajtjen dhe promovimin e identitetit kombëtar dhe gjuhësor shqiptar, si dhe rëndësinë e temave të trajtuara në konferencat e fundit të përbashkëta, veçanërisht ato mbi demografinë, të cilat lidhen edhe me sigurinë kombëtare.
Presidenti garantoi mbështetjen e tij dhe të institucioneve shqiptare për çdo projekt që synon promovimin e historisë dhe të vërtetave shkencore shqiptare.
