Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka deklaruar se partia do ta analizojë në mënyrë të detajuar situatën e krijuar pas aktgjykimit dënues të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Të enjten, para fillimit të mbledhjes së Kryesisë së PDK-së, Hamza bëri të ditur se subjekti i tij politik po shqyrton çdo hap të mundshëm institucional e politik, ndërsa qëndrimet përfundimtare do të bëhen publike pas përfundimit të diskutimeve të brendshme.
“Ne do ta diskutojmë situatën, do ta diskutojmë detajshëm. Ne e kemi thënë, që të gjitha format demokratike dhe ligjore janë opsion. Më tutje do të diskutojmë dhe pastaj do të shohim se cilat janë qëndrimet zyrtare të Partisë Demokratike të Kosovës”, deklaroi ai.
Lidhur me pyetjen e gazetarëve se a do të ndërmarrë PDK-ja ndonjë iniciativë për shfuqizimin apo zhbërjen e Gjykatës Speciale, Hamza nuk e ka përjashtuar si mundësi, duke nëvizuar shkurt se “të gjitha veprimet demokratike dhe ligjore janë të mundshme”.
