Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka njoftuar sot zyrtarisht Kryesinë e partisë për dorëheqjen e tij të parevokueshme nga pozita e kryetarit.
Sipas njoftimit zyrtar, ky vendim merr rrugë për të lejuar fillimin e një procesi të ri zgjedhor brenda PDK-së, ku anëtarësia do të vendosë për drejtimin e ardhshëm të subjektit politik, me fokus të veçantë në hapjen e hapësirave dhe marrjen e përgjegjësive nga të rinjtë.
Hamza nënvizoi se përpjekjet e tij drejtuese nga viti 2020 pas dërgimit në Hagë të ish-drejtuesve të PDK-së përfshirë sfidat elektorale në Mitrovicë dhe kandidimet për kryeministër, kanë ardhur gjithmonë si rezultat i përgjegjësisë ndaj partisë e vendit dhe jo nga ambiciet personale. Ai nëvizoi se gjatë mandatit të tij ka pasur prioritete ruajtjen e unitetit të brendshëm dhe besimin e votuesve.
Gjatë fjalës së tij, ai nuk la pa përmendur as vendimin e Dhomave të Specializuara ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së, duke shprehur zhgënjim për padrejtësinë në Hagë dhe duke konfirmuar se përpjekjet për të vërtetën dhe kthimin e tyre në atdhe do të vazhdojnë.
Duke konfirmuar se do të mbetet pjesë e pandashme e PDK-së, Hamza u shpreh.
“Nuk po largohem nga PDK-ja. Po largohem vetëm nga pozita e kryetarit, por jo edhe nga besimi në vlerat tona politike. Derisa të kem jetë, do të jem votues besnik i Partisë Demokratike të Kosovës dhe anëtar i kësaj familjeje të madhe politike”, u shpreh Hamza.
Në përmbyllje të njoftimit, ai falënderoi strukturat, anëtarët dhe mbështetësit për përkrahjen e dhënë, duke nëvizuar se interesi i Kosovës dhe i partisë duhet të qëndrojë gjithmonë mbi atë personal: “Unë nuk e dua PDK-në vetëm për ta udhëhequr. E kam dashur dhe do ta dua edhe pa e udhëhequr”.
