Bebe Rexha, ka shënuar një tjetër sukses të madh në karrierën e saj ndërkombëtare. Këngëtarja, e cila ka pushtuar skenat më të mëdha të muzikës në botë, ka ndarë me ndjekësit në Instagram një arritje historike.
Gjiganti muzikor Billboard ka publikuar në rrjet istën e 100 këngëve më të dëgjuara në historinë e muzikës country në shekullin 21 – dhe në krye të kësaj liste renditet pikërisht kënga e Bebe Rexhës, “Meant To Be”.
“Grafikët country të shekullit 21. Hidhni një sy listës së Billboard për këngët më të mira country të shekullit 21 në @billboardcharts, bazuar në 25 vitet e para të këtij shekulli. Renditja me 100 pozicione është përpiluar sipas performancës në tabelën javore Top Country Songs, nga fillimi i 2000 deri në fund të vitit 2024. Lëvizni fotot për të parë renditjen e plotë e klikoni linkun në bio për më shumë detaje” – shkruhet në njoftimin zyrtar të Billboard.
“Meant To Be”, e publikuar më 2017 në bashkëpunim me Florida Georgia Line, ka njohur sukses të jashtëzakonshëm në mbarë botën. Ajo numëron mbi një miliard dëgjime në Spotify, mbi një miliard shikime në YouTube dhe ka marrë nominime për çmime prestigjioze si Grammy, MTV VMA, MTV EMA dhe CMA.
Ky hit është i certifikuar me çmimin “Diamond” në Shtetet e Bashkuara, një arritje që pak këngë kanë mundur ta prekin.