Brukseli do të zgjasë deri në fund të dhjetorit mekanizmin e tij për kontrollin e eksporteve të vaksinave antiCOVID-19 të prodhuara në BE, në mënyrë që të garantojë furnizimet për shteteve anëtare përballë pasigurive të nxitura nga shfaqja e varianteve të reja, njoftoi sot Komisioni Evropian.
Ndërsa fushatat e vaksinimit në të gjithë BE-në janë përshpejtuar gjatë muajve “ato janë ende në vazhdim dhe pasiguritë vazhdojnë, veçanërisht me shfaqjen e varianteve të reja të virusit”, vuri në dukje KE në një deklaratë.
“Prandaj është e nevojshme të ruhet transparenca, kurse mekanizmi i kontrollit, i vlefshëm deri në fund të shtatorit, do të zgjatet deri më 31 dhjetor. Asnjë zgjatje nuk është planifikuar përtej kësaj date”, shtoi ai, raporton ATSh.
Ekzekutivi i BE-së vendosi në fund të janarit një mekanizëm për autorizimin e eksporteve të vaksinave, për të kontrolluar tregtinë në vendet ku situata shëndetësore konsiderohej më e mirë se në Evropë dhe, në veçanti, për të monitoruar dërgesat e laboratorit AstraZeneca, i akuzuar se nuk respektoi porositë e marra nga shtetet anëtare në dobi të vendeve të tjera.
Kjo nuk e ka penguar BE-në të eksportojë afro 740 milionë doza që nga ajo datë.
Në praktikë, ky mekanizëm kërkon, para çdo eksporti të vaksinave jashtë BE-së nga një laborator, të marrë dritën jeshile nga shteti anëtar nga i cili shpërndahen dozat.
Ky vendim duhet të konfirmohet nga Komisioni.