Negociatorët nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe Parlamenti Evropian arritën të premten një marrëveshje për të reduktuar konsumin përfundimtar të energjisë në të gjithë bllokun me 11.7% deri në vitin 2030.
Marrëveshja erdhi në periudhën kur blloku po përpiqet të frenojë varësinë nga energjia ruse dhe të luftojë ndryshimet klimatike.
“Kursimi i energjisë është një hap kyç për të shpëtuar planetin”, tha në një deklaratë nënpresidenti i Komisionit të BE-së, Frans Timmermans.
“Gjatë muajve të fundit, evropianët e dëshmuan se janë të gatshëm dhe të aftë për të përballuar këtë sfidë dhe industria jonë ka dëshmuar se mund të optimizojë përdorimin e energjisë dhe proceset e prodhimit”, shtoi ai.
Marrëveshja e Gjelbër do t’i referohet Parlamentit Evropian dhe vendeve anëtare për votim përfundimtar.
Pse BE-ja e rriti përqindjen e reduktimit?
Marrëveshja e së premtes vjen si një ndryshim në një objektiv të mëparshëm prej 9%, të propozuar fillimisht në vitin 2021. Kjo është në kuadër të planeve të BE-së për të arritur neutralitetin klimatik deri në vitin 2050.
Megjithatë, kur Rusia e pushtoi Ukrainën, nevoja për vendet evropiane për të reduktuar varësinë e tyre nga karburantet fosile, për të cilat Rusia ishte furnizuesi më i madh, u bë më urgjente.
“Kjo nënkupton ndryshim domethënës për të mirën e klimës dhe disavantazhin e [presidentit rus Vladimir] Putin”, deklaroi Niels Fuglsang, kryenegociatori i Parlamentit.
Çfarë do të thotë marrëveshja për 27 anëtarët?
Marrëveshja vjen si një kompromis midis Parlamentit Evropian, i cili po shkon drejt objektivit shumë më të lartë prej 14%, dhe disa vendeve të BE-së. Kjo do të thotë që shtetet anëtare të BE-së duhet të kursejnë mesatarisht 1.49% të konsumit final të energjisë në vit midis viteve 2024 dhe 2030.
Marrëveshja parashikon që objektivi do të jetë ligjërisht i detyrueshëm. Ndërsa anëtarët e bllokut kanë lirinë të vendosin objektivin e tyre kombëtar jodetyrues, nëse nuk arrijnë objektivin prej 11.7%, Komisioni Evropian do të ndërhyjë për të vendosur një kurs./UBTNews/