Vendet anëtare të Bashkimit Evropian u pajtuan të mërkurën për rihapjen e kufijve të bllokut për udhëtarët jashtë BE-së, që janë vaksinuar plotësisht kundër koronavirusit, thanë burimet në Bruksel.
Rekomandimi, i bërë më herët nga Komisioni Evropian, vlen vetëm për të vaksinuarit me vaksina të miratuara nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA).
EMA, deri më tash, ka miratuar vaksinat e kompanive Pfizer/BioNTech, Moderna, Johnson & Johnson dhe AstraZeneca.
Diplomatët u pajtuan edhe për rritjen e nivelit të rasteve të reja me koronavirus, që një vend mund t’i shënojë, përpara se të shpallet i pasigurt.
Numri i rasteve në 100,000 banorë, që mund t’i shënojë një vend brenda dy javësh dhe të konsiderohet i sigurt, do të rritet nga 25 në 75.
Burimet thanë se rekomandimet do të miratohen nga ministrat e BE-së të premten.
Aktualisht, udhëtimet jothelbësore në BE nga të ashtuquajturat vende të treta – ku bën pjesë edhe Ballkani – janë të ndaluara.
Këto kufizime janë vendosur qysh në mars të vitit të kaluar, kur edhe ka shpërthyer pandemia e koronavirusit.