Vendet e Bashkimit Evropian duhet të shtojnë përpjekjet e tyre për të reduktuar më shpejt emetimet e dëmshme për klimën në sektorët e ndërtimit, bujqësisë dhe transportit.
Sipas marrëveshjes së arritur midis BE-së dhe Parlamentit Evropian, objektivat kombëtare të klimës për vitin 2030 shtrëngohen në varësi, ndër të tjera, të fuqisë ekonomike të vendeve anëtare.
Objektivi i reduktimit të emetimeve të Gjermanisë, ekonomisë më të madhe në Evropë, do të rritet nga 38 në 50%, ndërsa Bullgaria, vendi më i varfër i BE-së, do të arrijë objektivin prej 10%, shkruan ATSh.
“Industritë e mbuluara nga e ashtuquajtura Rregullore e Ndarjes së Përpjekjeve janë përgjegjëse për 60% të emetimeve të gazeve serrë në BE”, tha komisioneri i BE-së për Klimën, Frans Timmermans.
Rregullat e reja synojnë të krijojnë stimuj për masa shtesë për të ulur emetimet e dioksidit të karbonit (CO2).
Vendimi ende duhet të miratohet zyrtarisht përpara se ligji të hyjë në fuqi, por kjo konsiderohet një formalitet.
Rregullorja është pjesë e paketës së madhe klimatike “Fit for 55” e cila synon të reduktojë emetimet në bllok me 55% deri në vitin 2030, krahasuar me vitin 1990.